News - Study

Historical

HISTORIKU I KËSHILLIT PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE E TË LIRIVE TË NJERIUT

Faculty of ME 4 years

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (më tej: KMDLNJ) është organizata e parë joqeveritare e formuar në Kosovë. KMDLNj është formuar më 14 dhjetor 1989 nga një grup i veprimtarëve për të drejtat e njeriut, të cilët flisnin në emër të atyre që u ishte mohuar çdo e drejtë dhe u shkeleshin të drejtat elementare të njeriut. KMDLNj paraqet një organizim heterogjen për nga struktura intelektuale dhe nacionale. KMDLNj është organizatë joqeveritare, jopolitike dhe jofitimprurëse. Selia e KMDLNj-se është ne Prishtinë. Po ashtu, KMDLNj ka edhe anëtarë nderi nga shtetet e ndryshme të Evropës dhe nga SHBA të cilët e përfaqësojnë KMDLNj-në në situata të caktuara. Adem Demaçi, fitues i çmimit Saharov, është kryetar nderi i KMDLNj-së. KMDLNj është anëtar i Federatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (FIDH) me seli në Paris dhe anëtar i Rrjetit Ballkanik për të Drejtat e Njeriut (saktësisht Komitetit Drejtues të këtij rrjeti). KMDLNj është po ashtu anëtar i Shoqatës së Popujve të Rrezikuar në Gottingen (Gjermani).



VEPRIMTARIA E KMDLNJ-SË

KMDLNj dokumenton shkeljet e të drejtave të njeriut dhe denoncon kryerësit e këtyre shkeljeve duke e informuar opinionin me anë të raporteve, komunikatave, publikimeve, konferencave për shtyp etj. KMDLNj publikon informata, raporte , periodike dhe vjetore. Po ashtu publikon edhe “Buletinin”, kur të sigurohen mjete, në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe. KMDLNj ka publikuar edhe librat: “Të drejtat e mia” I, II dhe III dhe “Të drejtat e njeriut”, “Mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut“, “Çështja Dita“, “Të drejtat e pakicave“, “ Monografia e Krimeve të Luftës 1998 – 1999 “ etj. KMDLNj ka qenë organizata e parë joqeveritare nga Kosova që ka vendosur bashkëpunim me Tribunalin e Hagës dhe që i ka dorëzuar fletëdenoncim penal kundër udhëheqësve jugosllavë të dyshuar për krime lufte në Kosovë. Ndriçimin e fatit të personave që konsiderohen si të zhdukur është njëri ndër prioritetet e KMDLNj. Intervistimi i refugjatëve të kthyer , azilkërkuesve dhe personave të zhvendosur është angazhim i mëtutjeshëm i Këshillit. Kthimi i personave të zhvendosur brenda vendit është një ndër aktivitetet kryesore të Këshillit, sidomos pas përfundimit të luftës. Mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe integrimi i tyre në shoqëri, deenklavizimi janë angazhime afatgjate strategjike të KMDLNj. KMDLNj merret edhe me edukimin për të drejtat e njeriut. Në këtë kontekst ka organizuar trajnime për të drejtat e njeriut për pjesëtarët e FSK-së dhe të PK-së. KMDLNj ka bërë monitorimin e zgjedhjeve lokale e të përgjithshme, monitorimin e proceseve gjyqësore, qendrave të ndalimit, të paraburgimit, burgjeve hetuese dhe shtëpive korrektuese si dhe institucioneve të tjera të dala nga zgjedhjet. KMDLNj ,organizon tryeza të rrumbullakëta, debate, seminare etj. që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Në kuadër të KMDLNj-së funksionon shërbimi i telefonit SOS për shërbime juridike falas. KMDLNj që nga viti 2000, për trembëdhjetë vite me radhë e organizon Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar për të Drejtat e Njeriut “Një Botë“. KMDLNj ka qenë organizatë kryesore që i ka monitoruar zgjedhjet që janë organizuar në Kosovë – 2 palë zgjedhje lokale dhe 2 palë zgjedhje të përgjithshme.

News - Study